Kam nevojë për ndihmë
Shtatzënia nuk është gjithmonë vetëm gëzim dhe ndjenjë lumturie. Ne e kuptojmë këtë. Gjithashtu, kur nuk është e planifikuar dhe e dëshiruar dhe kur askush nuk duhet të dijë për të, ajo mund të shkaktojë ankth dhe shqetësime. Na telefononi, ne ju dëgjojmë dhe do t'ju ndihmojmë menjëherë dhe në mënyrë kompetente. Ne ndajmë me ju shqetësimet tuaja. I trajtojmë telefonatat tuaja në mënyrë të fshehtë dhe anonime. Këshillimi ynë profesional me persona profesionistë nga fusha sociale, mjekësore dhe ajo juridike do të jetë në dispozicionin tuaj pa pagesë. Në situata urgjente dhe në rast konflikti në lidhje me shtatzëninë, mund të na kontaktoni edhe jashtë orarit zyrtar të punës, si dhe gjatë fundjavës dhe ditëve të pushimit. Këshillimin mund ta merrni nëpërmjet telefonit, në numrin 0800 811 100 (falas), nëpërmjet emailit në adresën helpline(at)shmk.ch ose personalisht, direkt në vend (adresa e kontaktit).
Mundësitë për ndihmë
- Këshillimi dhe shoqërimi gjatë shtatzënisë dhe gjithashtu pas lindjes
- Mbështetja materiale dhe financiare pas sqarimeve të suksesshme
- Komunikimi i adresave dhe i mundësive për ndihmë direkt në vend
- Sqarimi me shërbimet sociale, ndihma gjatë hartimit të buxhetit
- Bashkëpunimi me vende të tjera të ndihmës
- Konsulencë juridike falas rreth amësisë (punësimi, të drejtat për fëmijët, atësia, pensioni ushqimor për fëmijën etj.)
Histori të vërteta nga centrali i thirrjeve të urgjencës së Ndihmës Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën (SHMK)
Ndihmë edhe pas lindjes
Zonja V. është një fshatare nga Zvicra Perëndimore, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Ajo vuan prej shumë kohësh nga një sëmundje muskulore, e cila e pengon në kryerjen e punëve. Megjithatë, ajo ëndërron për një familje të madhe, veçanërisht tani që ajo dhe burri i saj mund të merrnin një fermë. Fati i troket në derë ndërsa ajo mëson se pret fëmijën e tretë... Megjithatë, gjatë një kontrolli mjekësor rutinë, ajo merr vesh lajmin - si një rrufe në qiell të pastër - se shtatzënia dhe lindja e fëmijës mund t'ia përkeqësojnë sëmundjen! Zonja V. nuk i kushtoi fare vëmendje këtij lajmi të keq.
Ajo i gëzohej me gjithë zemër fëmijës së saj. Muajt kalonin. Erdhi momenti i lindjes fatlume të foshnjës së shëndetshme. Zonja V. e kaloi me vështirësi periudhën e lehonisë dhe, ashtu siç ishte parashikuar, u shfaq një përkeqësim i dukshëm i sëmundjes së saj. Tani ajo e humbi plotësisht aftësinë e saj për të punuar. Fati e solli që familja V. të përballej edhe me probleme të tjera: Kompania e sigurimeve shëndetësore njoftoi se shpenzimet për sëmundjet nuk ishin të mbuluara. Në stallë ngordhën menjëherë dhe në mënyrë të pashpjegueshme disa viça majmërimi.
Gjithashtu, personi, në bashkëpunim me të cilin zoti V. donte të krijonte një burim shtesë të ardhurash, pësoi një aksident automobilistik tragjik, ku humbi jetën! Të ardhurat shtesë humbën dhe borxhet e fermës bujqësore vazhdonin të rriteshin më shumë.
Tani zonja V. ishte e pashpresë. Ajo iu drejtua centralit të thirrjeve të urgjencës të Ndihmës Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën. Në bisedën me këshilluesen, zonja V. paraqiti një lutje për mbështetje financiare. Këshilluesja e dëgjoi me vëmendje dhe e kuptoi: Zonja V. kishte rrezikuar për fëmijën e saj dhe për pasojë ndodhej në një situatë urgjente. Ajo e meritonte ndihmën e SHMK-së!
Familjes iu caktua mbështetje financiare mujore. Përveç kësaj, këshilluesja e dinte që duhej të ndihmonte edhe më shumë: Ajo e këshilloi zonjën për të gjitha çështjet sociale dhe kontaktoi në emër të saj organizata të tjera ndihmëse në Zvicër. Me fjalën e saj, ajo arriti që ta ndante barrën që i kishte rënë nënës së mirë:
Ia doli të fitonte mbështetjen e dy organizatave bamirëse të mirënjohura zvicerane, të cilat do të ndanin ndihmën për të në të njëjtën mënyrë si SHMK-ja. Kështu mbështetja për familjen V. u trefishua! E prekur thellësisht nga ndihma e marrë, zonja V. ndihet e lumtur jo vetëm me fëmijën e saj, por gjithashtu edhe për faktin që në Zvicër ka kaq shumë njerëz të mirë dhe të gatshëm për të ndihmuar.
Të kalosh shtatzëninë me ankthin e vdekjes
Një zonjushë telefonon në numrin e telefonit pa pagesë të Ndihmës Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën: "Motra ime M. është 17 vjeç dhe është në javën e 21-të të shtatzënisë. Babai ynë nuk duhet ta marrë vesh në asnjë mënyrë për këtë shtatzëni. Ai jeton sipas zakoneve tradicionale të një shoqërie, kodi i nderit të së cilës kërkon që ai ta vrasë vajzën e mbetur shtatzënë, me qëllim që të "rivendosë nderin e humbur të familjes". Për shkak të babait të saj, për momentin M. shikon si mundësi të vetme birësimin dhe i lutet për ndihmë SHMK-së.
Këshilluesja i jep kurajë telefonueses dhe e siguron atë se: "Ne do ta mbështesim M. në çdo vështirësi që ajo do të përballet!" Do të organizojmë për ju një udhëtim për mësimin e gjuhës në një kanton tjetër, me qëllim që M. ta kalojë pjesën e mbetur të shtatzënisë dhe lindjen e fëmijës pa akthin e vdekjes.
Për këtë qëllim, SHMK-ja kërkon një konsulent ligjor, i cili nevojitet për të mbrojtur nënën minorene dhe foshnjën e saj në këtë situatë të ndërlikuar.
Më në fund erdhi koha: E vogla E. erdhi në këtë botë. Foshnja e ëmbël e sapolindur i prek kaq shumë ndjenjat e nënës së saj, saqë asaj nuk ia bën zemra që ta japë E. për birësim! Një kushërirë e njohur e saj duhet që ta marrë foshnjën dhe të kujdeset për të në fshehtësi të plotë, derisa M. të ketë mbaruar shkollën dhe të jetë në gjendje ta përballojë vetë jetën. SHMK-ja i dhuron M. një karrocë fëmijësh dhe gjëra të tjera të nevojshme për foshnjën. Përveç kësaj, ajo përfiton një shumë mujore për shpenzimet e fëmijës.
"Është një mrekulli", thotë zemra
Kristina (30 vjeç) është nëna e një vajze të vogël njëvjeçare. Tani ajo ka mbetur sërish shtatzënë. Babai nuk e dëshiron në asnjë mënyrë këtë fëmijë. Pas dhjetë ditësh, ajo ka një takim te gjinekologu. "Ndërsa po rrija dje jashtë", i shkruan ajo SHMK-së, "erdhën dy gra nga kisha dhe më dhanë një broshurë me foto se si zhvillohej fëmija përpara lindjes. Kjo për mua ishte një shenjë që unë duhej ta mbaja atë fëmijë. Por partneri im kërkon me çdo kusht që unë të abortoj, madje edhe më ka kërcënuar për këtë."
Për këshilluesen e centralit të thirrjeve urgjente gjithçka është e qartë: Tani ka vlerë vetëm një gjë: ndihma, me qëllim që të shpëtohet jeta e fëmijës. Zhvillohet një shkëmbim aktiv i mesazheve elektronike. Gjithashtu, në mëngjesin para takimit me mjekun, këshilluesja i dërgoi Kristinës poezinë e mëposhtme:
Është një mrekulli, thotë zemra.
Është përgjegjësi e madhe, thotë arsyeja.
Është një shqetësim shumë i madh, thotë frika.
Është një dhuratë e Zotit, thotë besimi.
Është një sfidë e jashtëzakonshme, thotë përvoja.
Dhe është lumturia më e madhe, thotë dashuria.
Ditën pas vizitës te mjeku, këshilluesja merr një mesazh elektronik: "Kur partneri u kthye nga puna, gjëja e parë që më pyeti ishte: "A e hoqe fëmijën?" Unë i thashë jo; ai u zemërua dhe më tha: "Çfarë po pret? Lër një takim për ditën e hënë!" Kristina ishte e frikësuar, megjithatë me mbështetjen e këshillueses ajo i bëri ballë presionit. Pesë muaj më vonë vjen lajmi: "Linda vajzën time, Karolinën, jemi shëndoshë e mirë që të dyja... dhe të lumtura." Këshilluesja i dërgoi Kristinës një dhuratë për lindjen e fëmijës. Përveç kësaj, ajo merr mbështetje financiare nga SHMK-ja, si dhe premtimin se do ta ndihmojnë për sa kohë të jetë e nevojshme.